×

Zona e Kerkimit



Rreth nesh

RRETH NESH.


“Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës” është i pari Vend Kujtese Historike i cili përkujton viktimat që vuajtën dënimin në burgjet e regjimit komunist.

E ndërtuar në 1930 si Kolegj Serafik i Provincës së Fretërve Minorë në Shqipëri, struktura ishte një institucion për përgatitjen e kandidatëve të rinj françescan. Pranë kësaj ndërtese ndodhej edhe shkolla femërore e Motrave “Shërbëtore të Marisë” që së bashku me shkollën e Etërve Jezuitë dhe me atë të Motrave Stigmatine, përbënin qendrën e kulturës dhe të edukimit në Shkodër.

Me ardhjen e komunizmit dhe me arrestimet e para në vitin 1945, lindi nevoja të improvizohen burgje të reja dhe kuvendi u kthye në Degën e Punëve të Brendshme për qytetin e Shkodrës, rol të cilin e ruajti deri në vitet 1990. Magazinat ngjitur me konviktin u përshtatën dhe u kthyen në qeli paraburgimi.

Sot ndërtesa është rikonceptuar si një memorial i peiudhës së diktaturës komuniste ku pjesa më kulmore janë qelitë origjinale të paraburgimit (të quajtura nga vetë të dënuarit biruca për përmasat e tyre shumë të vogla dhe dritën e pakët). Në fund të hapësirës së qelive ndodhet edhe dhoma e torturave ku shpesh të burgosurit ishin të detyruar të asistonin në tortura fizike e morale që ushtroheshin mbi njërin prejt tyre.

Kalimi në zonën e qelive bëhet përmes një galerie ekspozimi me elementë që simbolizojnë torturën dhe dhimbjen duke përkujtuar edhe ecjen drejt vuajtes meqenëse ka të njëjtën gjatësi (rreth 50m) me rrugën që përshkronte i burgosuri nga momenti që zbriste nga makina tip GAZ që e arrestonte deri kur kyçej në qeli. Galeria drejton në sallën e ekspozimit të objekteve dhe materialeve të burgimit që janë sjellë nga vetë të dënuarit politik apo familjarët e tyre. Krahas kësaj, këtu pasqyrohen edhe dokumenta origjinale të kohës që dëshmojnë persekutimin komunist në qytetin e Shkodrës: kryengritjet e para antikomuniste në Shqipëri, gjyqet ushtarake, persekutimi i klerit, internimet, arratisjet e deri tek dënimet me pushkatim .

Misioni jonë është të kujtojmë të kaluarën, por jo vetëm…. kërkojmë të trajtojmë aspekte të burgimit politik dhe mekanizmat e kohës, të krijojmë një kulturë kujtese historike shoqëruar me fakte dhe dëshmi duke iu drejtuar kryesisht brezit të ri, që të ndërgjegjësohet ndaj gabimeve të së shkuarës e të jetë pararendës në ndërtimin e një të ardhmeje të lirë e të sigurt.